Unaza, e quajtur "Freedom 250", është prej ari 18-karatësh, e stolisur me 321 diamante, 56 safirë, 13 smeralde dhe gjashtë rubinë. Ajo u dorëzua ambasadorit amerikan në Belgjikë, Bill White, gjatë një ceremonie në Bruksel, me qëllim që t'i përcillet zotit Trump. Ish-presidenti falënderoi komunitetin e diamantëve të Antverpenit në një videomesazh, duke e cilësuar dhuratën si "madhështore".

Bizhuteria, e frymëzuar nga unazat e kampionëve të Super Bowl-it, përmban simbole amerikane. Në të janë gdhendur vitet 1776 dhe 2026, numrat 45 dhe 47, që i referohen mandateve presidenciale të Trumpit, si dhe një shqiponjë me mburojë rubini dhe degë ulliri prej smeraldi. Brenda unazës është gdhendur mbishkrimi: "Crafted in Antwerp for Donald John Trump".

Kjo dhuratë vjen pak muaj pasi industria belge e diamanteve përfitoi nga heqja e tarifave amerikane për importin e diamanteve të lëmuara, një zhvillim i rëndësishëm për eksportet nga Antverpeni drejt tregut amerikan. Përfaqësuesit e Qendrës Botërore të Diamanteve në Antverpen (AWDC) kanë mohuar se kanë lobuar drejtpërdrejt pranë administratës amerikane. Vlera e unazës vlerësohet midis 25 mijë dhe 35 mijë dollarëve. Ekspertët e etikës në SHBA kanë ngritur pikëpyetje mbi pranimin e dhuratave të tilla luksoze nga presidenti, duke theksuar se kjo bie ndesh me praktikën tradicionale të Shtëpisë së Bardhë për shmangien e dhuratave me vlerë të lartë.