Në një intervistë për televizionin CNBC, Presidenti Trump pohoi se Teherani "ka rënë dakord për pothuajse gjithçka që na nevojitet". Kreu i Shtëpisë së Bardhë sqaroi se Shtetet e Bashkuara nuk synojnë përmbysjen e pushtetit në Teheran. Megjithatë, ai përsëriti vijën e kuqe të administratës së tij: "Irani nuk mund të ketë armë bërthamore."

Gjatë fjalës së tij, Trump pretendoi se Irani është "shuar plotësisht ushtarakisht". Ai pranoi se vendi posedon ende kapacitete të caktuara raketore, duke shtuar se SHBA-ja mund t'i shkatërrojë edhe ato. Trump e krahasoi sjelljen e Iranit në rajon me atë të një "fëmije të llastuar" dhe e cilësoi shtetin islamik si "ngacmuesin e Lindjes së Mesme".

Këto deklarata vijnë në një moment kyç, pas nisjes së bisedimeve zyrtare në Katar këtë javë. Negociatat synojnë një marrëveshje përfundimtare për t'i dhënë fund konfliktit me Iranin. Raundi i radhës i bisedimeve pritet të mbahet pas ceremonisë së varrimit të ish-udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.