Një vetaksident në fshatin Gërdoc të Podujevës në orët e para të së shtunës shkaktoi vdekjen e një personi. Më herët, të premten mbrëma, një aksident në Obiliq i mori jetën shoferit dhe pasagjerit të një motoçiklete, duke lënë të lënduar edhe një këmbësor.

Policia e Kosovës njoftoi se gjatë periudhës janar-qershor 2026, janë regjistruar 10,170 aksidente trafiku. Si pasojë e tyre, 46 persona kanë humbur jetën dhe 7,482 të tjerë janë lënduar. Për krahasim, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, 45 persona vdiqën në 40 aksidente fatale.

Në përpjekje për parandalimin e aksidenteve, Policia ka shqiptuar rreth 400,000 gjoba në komunikacion gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, një rritje prej rreth 6% krahasuar me vitin e shkuar. Policia apelon për respektimin e rregullave dhe përqendrim maksimal gjatë drejtimit të automjeteve.

Njohësi i komunikacionit, Nol Dedaj, thekson se mungesa e masave parandaluese nga institucionet, përtej punës rutinore të Policisë, ka ndikuar në numrin e lartë të aksidenteve. Dedaj rekomandon hartimin e një strategjie kombëtare për sigurinë rrugore, bazuar në analiza dhe studime, për të identifikuar dhe adresuar faktorët shkaktarë të aksidenteve.