Zbulimet tregojnë se interesimi i qytetarëve për t’u përfshirë në vendimmarrje është i lartë, veçanërisht në Bogovinë me 67%. Megjithatë, pjesëmarrja mbetet e kufizuar për shkak të mungesës së informimit dhe konsultimeve publike. Vetëm 23% e banorëve të Bogovinës dhe 6% të atyre në Shkup e Manastir kanë marrë ftesë për konsultime.

Kënaqësia me transparencën komunale luhatet nga 22% në Bogovinë deri në 42% në Strumicë. Në Gazi Babë, 37% e të anketuarve janë të kënaqur, ndërsa në Kumanovë dhe Shkup kjo përqindje është 36%. Televizioni dhe rrjetet sociale janë burimet kryesore të informacionit për vendimet komunale, ndërsa kërkesat personale dhe tabelat e shpalljeve përdoren më pak.

Qasja në informacione komunale perceptohet si e vështirë. Në Gazi Babë, 43% vlerësojnë qasjen si të lehtë, ndërsa në Manastir vetëm 16%. Përdorimi i faqeve zyrtare të komunave për kërkim informacioni është i ulët, me Gazi Babën në krye me 31% dhe Strumicën e Shtipin me 12%.

Në kontrast, shërbimet digjitale komunale përdoren gjerësisht. Mbi dy të tretat e qytetarëve në të gjitha komunat e anketuara kanë përdorur të paktën një shërbim elektronik, duke arritur në 82% në Manastir. Pavarësisht përparimeve në digjitalizim, transparenca, qasja në informacion dhe përfshirja qytetare mbeten sfida thelbësore për vetëqeverisjen lokale.