Operacioni "Global Chain", i drejtuar nga Austria, u zhvillua nga 8 deri më 13 qershor, duke bashkuar forcat policore dhe organizatat si Europol, Frontex, Interpol dhe Ameripol. Fokusi kryesor ishte lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës me migrantë.

Në Maqedoninë e Veriut, gjatë këtij aksioni, u zbuluan tre vepra penale dhe 49 kundërvajtje të lidhura me trafikimin e njerëzve, fëmijëve dhe emigrantëve. Nga këto, 42 kundërvajtje u kryen nga shtetas të huaj dhe shtatë nga shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut identifikuan edhe një rast të birësimit të paligjshëm dhe nisën hetimet për një rast të dyshuar të trafikimit të qenieve njerëzore përmes lypjes së detyruar. Një shkelje tjetër e konstatuar ishte mashtrimi për qëllimin e qëndrimit në vend.

Operacioni "Global Chain" konsiderohet një nga aksionet më të mëdha të koordinuara ndërkombëtare kundër rrjeteve kriminale, duke synuar goditjen e grupeve, identifikimin e viktimave dhe forcimin e bashkëpunimit global të institucioneve ligjzbatuese.