Inteligjenca Artificiale (IA) ka ringjallur anijen e famshme Titanik në një udhëtim virtual. Një video e re e publikuar online përdor teknologjinë e IA-së për të transportuar shikuesit në vitin 1912, duke ofruar një përvojë të ngjashme me një udhëtim në kohë.

Krijuesja e kanalit “Chloe VS History” ka shfrytëzuar fotografi dhe ilustrime autentike të epokës. Mjetet moderne të Inteligjencës Artificiale i kanë shndërruar këto burime në imazhe fotorealiste tredimensionale. Videoja, një vlog historik, e shfaq krijuesen sikur ndodhet në bordin e Titanikut, duke udhëhequr shikuesit nëpër ambientet e anijes.

Materiali vizual prezanton korridoret dhe kabinat e klasit të tretë, si dhe luksin e klasit të parë, me sallonet elegante, dhomat e ngrënies dhe shkallët ikonike. Titaniku u nis nga Southampton më 10 prill 1912 drejt New Yorkut, me mbi 2,200 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit. Anija, e konsideruar një mrekulli inxhinierike, u fundos natën e 14 prillit 1912 pas përplasjes me një ajsberg në Atlantikun e Veriut, duke shkaktuar vdekjen e rreth 1,500 personave.

Videoja ndjek rrugëtimin e Titanikut deri në natën fatale të fundosjes. Ky projekt tregon potencialin e Inteligjencës Artificiale në rikrijimin e ngjarjeve historike, duke sjellë më pranë publikut episode që kanë shënuar historinë botërore.