Jeton Veseli, organizator i festivalit, njoftoi se ky edicion do të sjellë emra të njohur të skenës muzikore shqiptare dhe rajonale. Më 28 korrik, Noizy do të performojë live me bend, një ekskluzivitet i rrallë për skenën e festivalit. Skenës do t'i bashkohen edhe Dhurata Dora dhe Lumi B, të cilët rikthehen me performancat e tyre. Gjithashtu, do të prezantohen talente të reja si Rilind Alimani, Era dhe Guapo, së bashku me DJ Ginger dhe DJ Nikk.
Më 29 korrik, festivali do të përqendrohet te muzika jazz, duke shfaqur maestro Toni Kitanovski-Interstellar Transmission, DJ Redon Robi dhe Agon Distortion. Ky kombinim do të krijojë një fuzion muzikor të veçantë në ambientet e hapura të parkut.
Veseli theksoi se vendndodhja në Parkun e Qytetit të Gostivarit e bën festivalin unik, duke ofruar një atmosferë intime dhe të lirë mes natyrës. Dita e 30 korrikut do t'i kushtohet fëmijëve. Nga ora 19:00, do të ketë lojëra edukative, animatorë dhe pika artistike për talentët e rinj. Qëllimi është krijimi i një ambienti frymëzues dhe argëtues, ku arti dhe natyra bashkohen.
Organizatorët treguan se rrugëtimi financiar i festivalit ka qenë plot sfida. Ideja lindi në vitin 2010 dhe mbështetja e parë u mor në vitin 2018 nga Ministria e Kulturës. Sot, pjesa më e madhe e organizimit mbulohet nga kompania "Inbox Entertainment" me rreth 80%, ndërsa pjesa tjetër nga sponsorët privatë, Komuna e Gostivarit dhe fonde minimale institucionale. Kjo ka çuar në orientimin drejt një formati më komercial, ndërsa mbështetja institucionale alokohet për aktivitete kulturore jofitimprurëse.
Veseli ftoi publikun të jetë pjesë e festivalit. Ai garanton mikpritje dhe siguri të lartë, duke theksuar interesin e madh për bileta që në ditët e para të shitjes.