Libri “The Albanian Files” analizon ndikimin e kryeministrit Edi Rama dhe vartësve të tij në përzgjedhjen e arkitektëve të njohur ndërkombëtarë për projekte private kullash në Tiranë dhe resortesh bregdetare. Botimi, që përmban rrëfime nga vetë arkitektët, tregon se si këto lidhje informale shërbejnë si kartë suksesi për miratimin e lejeve të ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga Rama.

Një nga rastet e dokumentuara është ai i arkitektit amerikan Sam Chermayeff, i cili më 1 maj 2024 u kontaktua nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) për dy projekte të mëdha në Tiranë. Chermayeff, pas një takimi me tre biznesmenë shqiptarë, pranoi të projektonte një kullë 44-katëshe, e cila mori leje zhvillimi më 31 korrik 2024. Ai pranoi se Adelajda Roka, drejtoresha e AZHT-së, ishte pjesë e mekanizmit të kontaktit me klientët, ndonëse biznesmeni Aleksandër Vasili, pronar i kompanisë “Al-Point” që zhvillon kullën “Sun Moon Star”, pretendoi se e kishte zgjedhur vetë arkitektin.

Libri përfshin rreth 60 studio ndërkombëtare arkitekture. Disa prej arkitektëve, si austriaku Chris Precht dhe kiliani Alejandro Aravena, rrëfejnë se u kontaktuan drejtpërdrejt nga kryeministri Rama, përmes mesazhesh në Instagram apo telefonatash. Këto dëshmi, sipas kritikëve, tregojnë një model problematik ku arkitektët e huaj nuk hyjnë në treg përmes konkurrimit të hapur, por përmes një rrjeti ku kryeministri dhe institucionet rreth tij veprojnë si orientues apo ndërmjetës.

Shkrimtari Fatos Lubonja e konsideron këtë një “provë të kapjes së shtetit” dhe kërkon hetime. Edhe deputeti Redi Muçi e interpreton librin si dëshmi të një qeverisjeje informale, ku institucionet certifikojnë marrëveshje joformale. Të dhënat tregojnë se ftesat për arkitektët e huaj vijnë me kosto të larta, deri në 60 euro për metër katror, 10 herë më shumë se çmimet e tregut, të cilat u faturohen blerësve fundorë. Një arkitekt shqiptar, në kushte anonimiteti, theksoi se arkitektët e huaj shpesh përdoren “për të thyer ligjin”, pasi atyre u lejohet ajo që studiove lokale u refuzohet.

Kryeministri Edi Rama dhe drejtoresha e AZHT-së, Adelajda Roka, nuk iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me këto pretendime.