Situata e semaforëve jofunksionalë në Tetovë vazhdon të jetë problematike, veçanërisht në bulevardin ‘Ilinden’. Kjo po shkakton kaos në komunikacion, i theksuar nga rritja e fluksit të makinave gjatë sezonit veror me ardhjen e mërgimtarëve.
Pikat më kritike përfshijnë kryqëzimet pranë Xhamisë së Larme dhe Gjykatës së Tetovës. Edhe pse Komuna e Tetovës ka premtuar vazhdimisht zgjidhje, vetëm një semafor i ri është vendosur kohët e fundit pranë Shkollës së Mesme të Mjekësisë.
Më 29 janar 2021, Komuna nënshkroi kontratë me kompaninë ‘A-Zero’ nga Gostivari për rregullimin e sinjalistikës rrugore, përfshirë semaforët. Megjithatë, gjashtë muaj pas nënshkrimit, shumë semaforë mbeten të pandryshuar.
Albi Qamili nga Komuna e Tetovës deklaroi se montimi i semaforëve te Bulevardi ‘Ilinden’ pranë Xhamisë së Larme dhe më pas te Gjykata e Tetovës do të realizohet brenda pak ditësh, maksimumi deri në fund të javës. Pas përfundimit të punimeve në bulevardin ‘Ilinden’, do të vijojë montimi edhe te Bulevardi ‘V.S. Bato’.
Tetova përballet rregullisht me trafik të rënduar, ndërsa plani i mobilitetit, që pritej të ofronte zgjidhje, u publikua më 15 prill pas zvarritjeve të shumta.