Qeveria siguroi 12 milionë euro në dhjetor për pastrimin e mbeturinave historike. Këto fonde do të shpërndahen gjatë tre viteve për rehabilitimin e plotë të njërës prej tri deponive të ish-fabrikës kimike.
Nga deponia e vogël janë gërmuar dhe asgjësuar 1.969 ton lindan dhe 586 ton tokë e kontaminuar që nga viti 2021. Mbeten rreth 916 ton mbetje HCH, 2.191 ton tokë e kontaminuar, 1.121 ton beton i kontaminuar, si dhe 70 ton tokë e kontaminuar me merkur.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informon se afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 7 korriku. Vlerësimi do të bëhet sipas procedurave të UNOPS, dhe aktivitetet përgatitore në terren do të fillojnë pas nënshkrimit të kontratës. Fillimi i rehabilitimit pritet në shtator.
Kompania e zgjedhur do të definojë edhe trajtimin për eliminimin përfundimtar të merkurit, i cili u zbulua në basenet me lindan. Merkuri aktualisht është paketuar dhe ruhet përkohësisht në një nga basenet tashmë të pastruara të deponisë së vogël, në pritje të një vendimi përfundimtar.
Në oborrin e OHIS ndodhet edhe një deponi e madhe me rreth 50.000 ton lindan. Ka lindan edhe në lokalitetin Pelenica. Hulumtime të hollësishme janë paraparë në deponinë e madhe për të përcaktuar sasitë e mbetjeve HCH dhe tokës së kontaminuar, rezultatet e të cilave do të shërbejnë si bazë për planifikimin e rehabilitimit të saj.
Reparti i lindanit në OHIS ka funksionuar nga viti 1964 deri në vitin 1977. Gjatë kësaj periudhe janë prodhuar rreth 2.800 ton lindan dhe 25.000 ton izomerë joaktivë, të cilët vazhdojnë të rrezikojnë mjedisin. Lindani, klasifikuar si kancerogjen i Grupit I, është përfshirë në Konventën e Stokholmit në vitin 2009. Ekspozimi ndaj tij lidhet me sëmundje të mëlçisë, gjakut dhe çrregullime nervore, kardiovaskulare, imunitare e riprodhuese.