"Tech Expo 2026" u zhvillua në Qendrën për Kulturë në Dibër, me rastin e pesëvjetorit të themelimit të Digital School Dibër. Aktiviteti ekspozon punën e 35 nxënësve, të cilët prezantuan projekte teknologjike para prindërve, institucioneve, drejtorëve të shkollave dhe mësimdhënësve.
Koordinatoreja e Digital School Dibër, Adisa Mullarexha, deklaroi se nxënësit kanë punuar në dhjetëra projekte praktike gjatë vitit shkollor. Këto projekte përfshinin sisteme për menaxhimin e punonjësve dhe bizneseve, platforma bibliotekash digjitale, aplikacione për kërkimin e universiteteve dhe orientimin në karrierë, si dhe platforma për rezervimin dhe menaxhimin e shërbimeve. Nxënësit prezantuan gjithashtu sisteme për shitblerjen e automjeteve, ueb-faqe moderne me dizajn "responsive" dhe projekte "Front-End" të zhvilluara me HTML, CSS dhe JavaScript. Të rinjtë prezantuan edhe lojëra edukative interaktive, të programuara në Code dhe Sprite Lab, si dhe projekte kreative nga nxënësit më të vegjël.
Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, vizitoi stendat, bisedoi me nxënësit dhe i përgëzoi për kreativitetin, aftësitë teknologjike dhe përkushtimin. Ai vlerësoi punën e Digital School Dibër në zhvillimin e talenteve të reja. Çdo projekt i prezantuar ishte rezultat i punës shumëjavore të nxënësve, duke përfshirë planifikimin, dizajnimit, programimin, testimin dhe prezantimin profesional. Nxënësve iu dhanë certifikata për pjesëmarrjen dhe prezantimin e suksesshëm.