Një përleshje e armatosur në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë, rreth orës 13:40 të enjten, la katër persona të plagosur. Tre nga të plagosurit ishin palë në ngjarje, ndërsa i katërti ishte një kalimtar i rastit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se, sipas hetimeve fillestare, të përfshirët dyshohet të kenë lidhje familjare, konkretisht dajë e nip. Motivi i konfliktit dyshohet të jetë një mosmarrëveshje e mëhershme.
Menjëherë pas raportimit të ngjarjes, prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda dhe njësitet policore ndërmorën veprimet hetimore në vendin e ngjarjes. Personat e përfshirë dyshohen për veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”.
Të plagosurit u dërguan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor. Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, në koordinim me Policinë e Kosovës.