Të rinjtë Amra Osmani, Ardian Ramadani, Luisa Residi dhe Yllza Sulejmani shprehin se dëshira për aktivizëm nuk mungon, por pengohet nga mungesa e mbështetjes, informimit dhe hapësirave. Ata kërkojnë investime në politikat rinore, projekte që nxisin bashkëpunimin mes komuniteteve dhe përfshirje reale në vendimet që i prekin.

Luisa Residi thekson mungesën e hapësirave të paanshme politikisht. Ardian Ramadani vëren se idetë dhe motivi janë të pranishme, por kërkohen më shumë hapësira rinore dhe projekte zhvillimi profesional. Yllza Sulejmani thekson nevojën për aktivizim dhe hapësira më të mëdha për shprehje të lirë. Amra Osmani flet për mungesën e vendeve moderne për zhvillim personal dhe bashkëpunim.

Pasiviteti i të rinjve vjen nga zhgënjimi me mospranimin e ideve të tyre. Shumë talente të rinj nuk kanë hapësira ku t'i shprehin mendimet. Mungesa e informatave për aktivitete dhe perceptimi si humbje kohe ndikojnë gjithashtu.

Të rinjtë shoqërohen me bashkëmoshatarët e etnive të tjera, veçanërisht në universitete. Kërkohen ambiente si Vera Kulturore dhe vende leximi për të nxitur bashkëpunimin ndëretnik dhe thyerjen e paragjykimeve. Ardian Ramadani shprehet se shoqëria është rritur në një sistem paralel, duke krijuar ndasi.

Ata i bëjnë thirrje kryetarit të komunës për kujdes më të madh ndaj kafshëve të qytetit dhe krijimin e më shumë ambienteve rinore. Kërkohet reformë në politikat rinore, rritje e buxhetit për të rinjtë dhe përfshirje e tyre direkte në vendimmarrje, me argumentin se të rinjtë janë ardhmëria e vendit.