Nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale, Tare theksoi se Shqipëria, si në kohën e diktaturës ashtu edhe sot, vuan nga ideja se bota rrotullohet rreth saj dhe se të gjithë kërkojnë ta dëmtojnë. Ai shtoi se këto deklarata shërbejnë për të shpikur armiq të jashtëm sa herë shfaqen probleme të pazgjidhshme.

Tare rikujtoi një bisedë me Sergej Hrushovin, djalin e ish-liderit sovjetik Nikita Hrushov, duke vënë paralelizëm mes prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë komuniste me Bashkimin Sovjetik dhe marrëdhënieve të tensionuara aktuale me Rusinë. Sipas tij, Nikita Hrushovi e konsideronte Enver Hoxhën mosmirënjohës dhe të dhënë pas madhështisë. Ai hodhi poshtë akuzat e Hoxhës se Hrushovi donte ta shkatërronte Shqipërinë duke e detyruar të mbillte portokalle në vend të grurit, duke shpjeguar se klima ishte e përshtatshme për agrume dhe gruri mund të merrej me shkëmbim.

Studiuesi theksoi se fuqitë e mëdha nuk harxhojnë energji për “mite provinciale” dhe se kur kanë interesa të mëdha, veprojnë, ndërsa në të kundërt lënë vendin të merret me hijet e krijuara nga imagjinata vetjake. Ai përfundoi duke theksuar se problemet e vendit nuk vijnë nga “ariu rus”, por nga “çakenjtë tanë” që shpikin armiq të largët sa herë u mungon një përgjigje për hallet e qytetarëve.