Autoritetet kineze ngritën alarmin në nivelin më të lartë pas goditjes së tajfunit Maysak. Ky i fundit shkaktoi reshje të dendura shiu dhe përmbytje të mëdha në rajonin jugor të Guangxi-t. Si pasojë, dy persona humbën jetën dhe rreth 48,000 banorë u evakuuan.
Nënkryetari i bashkisë së Nanning, kryeqytetit të Guangxi-t, konfirmoi lajmin. Reshjet intensive dëmtuan rëndë infrastrukturën. Në Nanning u regjistruan shembje digash dhe rrëshqitje baltash nga diga e Rezervuarit Liulan drejt zonave të banuara. Gjithashtu, u shemb diga e Rezervuarit Yunbiao, ndërsa Rezervuari Liugang doli nga shtrati. Në qytetin Fangchenggang, mbi 800 banorë u evakuuan për shkak të përmbytjeve.
Televizioni shtetëror CCTV raportoi se niveli i ujit tejkaloi kufijtë e alarmit në 66 stacione monitorimi hidrologjike, përgjatë 55 lumenjve në rajon. Në zonën e Luwei-t u regjistruan 637 milimetra reshje brenda 24 orëve. Edhe pse Maysak është dobësuar në stuhi tropikale, reshjet e dendura priten të vazhdojnë në Guangxi dhe në pjesën më të madhe të Kinës jugore. Për menaxhimin e situatës, janë angazhuar 1,372 ekipe shtesë shpëtimi dhe 140 mjete lundruese.