Prishtina do të bëhet sërish qendër e muzikës rajonale këtë verë. Sunny Hill Festival, i cili do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht, ka publikuar programin e plotë për edicionin e vitit 2026.
Festivali do të ketë si emra kryesorë artistë si Katy Perry, Lewis Capaldi dhe Martin Garrix. Ai sjell në Kosovë një kombinim yjesh ndërkombëtarë, artistësh shqiptarë, DJ-sh të njohur botërorë dhe zërash të rinj.
Në skenën kryesore, Sunny Hill Stage, do të performojnë Katy Perry, Lewis Capaldi, Martin Garrix, Dhurata Dora, Blanco, Esdeekid dhe Tyson O’Brien. Skena C4 do të fokusohet në muzikën elektronike me emra si Seth Troxler, PAWSA, Adam Port & Rampa, Carlita, Salomé Le Chat, Tommy Gold, Gjin dhe Kamelia.
Edicioni i këtij viti i jep rëndësi edhe skenës lokale dhe asaj të artistëve në rritje. Përmes The Next Stage dhe The Satellite, hapësirë do t'u jepet emrave si Asgjë Sikur Dielli, La Fazani, Sytë, Bana Zahiti, Erëza, Jolle, Rrezze, The Milk Snatchers, Anitë, Artssassin, Halfpint, Locky, Malix, Nautica, Sindicato Del Baile, Uran B dhe Us Two.
Një nga organizatorët e festivalit, Shpat Begolli, theksoi se Sunny Hill vazhdon traditën e sjelljes së emrave të njohur të muzikës botërore. Ai deklaroi se festivali është rritur në më shumë se 30 mijë vizitorë në ditë dhe po zhvillohet edhe në infrastrukturë. Për këtë vit, përveç dy skenave kryesore, do të ketë edhe dy skena të ditës që do të ofrojnë performanca që nga ora 13:00.