Autoritetet ukrainase njoftuan se 11 viktima u regjistruan në kryeqytet, ndërsa tre të tjera në rajonin e Kievit. Mes 46 të plagosurve janë edhe pesë fëmijë, sipas administratorit ushtarak të Kievit, Timur Tkachenko.
Ekipet e shpëtimit po veprojnë në mbi 20 zona të goditura. Disa ndërtesa të larta banimi pësuan dëme të rënda. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, theksoi se raketat balistike shkaktuan zjarre dhe dëmtuan depo e punishte. Tre blloqe apartamentesh u shembën pjesërisht. Kërkimet për persona të bllokuar nën rrënoja vazhdojnë. Helikopterët janë angazhuar për shuarjen e zjarreve.
Sulmet ndodhën pak ditë pas bombardimeve të mëparshme ruse dhe në prag të samitit të NATO-s, ku presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të takohet me aleatët. Zelensky kishte paralajmëruar më herët për një valë të dytë sulmesh masive ruse. Ukraina akuzoi Rusinë për goditje të qëllimshme ndaj zonave civile. Moska deklaroi se kishte në shënjestër objekte ushtarake dhe energjetike.
Ndërkohë, sulmet ukrainase ndaj objektivave në Krime vazhduan gjatë natës, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike në Sevastopol.
Në prag të takimit të NATO-s, Zelensky u bëri thirrje aleatëve të përshpejtojnë furnizimet me raketa me rreze të gjatë veprimi dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Ai kërkoi gjithashtu licenca nga SHBA për prodhimin e raketave Patriot në Ukrainë.