Një i dyshuar 16-vjeçar u arrestua pas sulmit në shkollën e mesme Welfen në qytetin Schongau. Zëdhënësja e policisë tha se autori e kishte synuar qëllimisht shkollën. Ajo nuk konfirmoi raportet për përdorimin e thikës.

Policia, fillimisht, foli për disa të plagosur, por më pas saktësoi se dy vajza ishin plagosur rëndë. Jeta e tyre nuk është në rrezik, sipas policisë. Nuk u specifikua nëse vajzat ishin nxënëse të shkollës. Hetuesit besojnë se autori ka vepruar i vetëm.

Pas incidentit, policia ndërmori një operacion të gjerë. Qytetarëve iu kërkua të shmangnin zonën. Një pikë kontakti u ngrit për prindërit dhe të afërmit e nxënësve në stacionin e zjarrfikësve të Schongau-t.