Një shpërthim ndodhi rreth orës 21:00 në hyrje të një ndërtese apartamentesh luksoze. Oligarku 58-vjeçar po dilte nga ndërtesa në momentin e shpërthimit. Bashkë me Yermolaiev, një grua dhe një 13-vjeçar pësuan plagë.

Princi Albert II e dënoi aktin si “të urryer” dhe urdhëroi forcimin e masave të sigurisë e shtimin e patrullimeve. Policia ka nisur hetimet për “vrasje me paramendim në tentativë” dhe “vendosje të një pajisjeje shpërthyese në zonë publike”.

Ministri i Shtetit i Monakos, Christophe Mirmand, konfirmoi se kjo ngjarje është e paprecedentë në histori. Kamerat e sigurisë kanë filmuar një të dyshuar duke lëvizur pranë vendit të ngjarjes para sulmit dhe më pas duke kaluar kufirin drejt Francës. Kërkimet janë duke u zhvilluar nga policia e Monakos dhe ajo franceze.

Monako njihet për nivelin e lartë të sigurisë, me një raport prej një polici për çdo 70 banorë dhe një rrjet të gjerë kamerash mbikëqyrëse. Vitin e kaluar nuk u regjistrua asnjë vrasje apo tentativë vrasjeje në principatë.