Interpoli ka lëshuar një njoftim të kuq për 39-vjeçaren Berezovska, e cila kërkohet për tentativë vrasjeje, vendosje të pajisjes shpërthyese dhe konspiracion kriminal. Autoritetet theksuan se autorja dyshohet të ketë qenë maskuar si burrë gjatë aktit.

Sipas zëvendësprokurorit të Monakos, Morgan Raymond, e dyshuara jetonte në Gjermani. Policia gjermane kontrolli apartamentin dhe makinën me qira të gruas, por nuk është bërë e ditur nëse janë gjetur prova.

Sulmi ndodhi të hënën në mbrëmje, rreth orës 21:00, kur një pajisje shpërtheu në hollin e hyrjes së një ndërtese apartamentesh, ndërsa tre banorë po hynin brenda. Fëmija i plagosur është pranuar në gjendje jo kritike në një spital në Nicë. Dy të rriturit, prindërit e fëmijës, u dërguan në spitalin universitar të Nicës me lëndime të rënda. Burri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por gjendja e gruas mbetet kritike, pasi sipas raporteve i janë amputuar të dyja këmbët.

Hetuesit e konsiderojnë të mundshme që Berezovska të mos ketë vepruar e vetme, duke pasur parasysh kompleksitetin e pajisjes shpërthyese dhe natyrën e sofistikuar të sulmit. Dy persona të arrestuar më herët në Monako janë liruar për mungesë provash.