Një stuhi e fuqishme përfshiu qytetin e Elbasanit dhe një pjesë të madhe të bashkive të qarkut pasditen e së premtes. Reshjet intensive të shiut, breshëri dhe erërat e forta shkaktuan vështirësi të mëdha në lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.
Stuhia nisi rreth orës 14:50, duke sjellë brenda pak minutash një mot ekstrem. Rrugët në disa zona të qytetit u mbuluan nga uji, duke detyruar drejtuesit e mjeteve të lëviznin me shpejtësi të ulët për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe përmbytjes së akseve rrugore. Edhe këmbësorët e patën thuajse të pamundur të lëviznin.
Erërat e forta rritën rrezikun, duke krijuar situata problematike në qarkullim dhe në jetën e përditshme. Deri tani nuk raportohen persona të lënduar. Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal, pasi reshjet vijonin me intensitet. Kjo stuhi erdhi pas disa ditësh me temperatura të larta në zonë.