Elbasani dhe një pjesë e madhe e qarkut u përfshinë nga një stuhi e fortë pasditen e kësaj të premteje. Reshjet intensive të shiut, breshri dhe erërat e fuqishme nisën rreth orës 14:50, duke krijuar kushte ekstreme moti.

Kjo situatë vështirësoi ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e automjeteve. Rrugët në disa zona të qytetit u mbuluan nga sasi të mëdha uji, duke detyruar drejtuesit e mjeteve të ulnin ndjeshëm shpejtësinë për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe përmbytjes së akseve rrugore. Edhe këmbësorët e patën thuajse të pamundur të lëviznin për shkak të shiut të rrëmbyeshëm dhe breshrit.

Erërat e forta shtuan rrezikun, duke krijuar situata problematike në qarkullim dhe jetën e përditshme. Deri tani nuk raportohen persona të lënduar. Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal, pasi reshjet vijojnë me intensitet.