Struga do të mirëpresë “Javën Kulturore Artistike 2026” mes datave 14 dhe 20 korrik. Manifestimi, organizuar nga Komuna e Strugës, përfshin një program të larmishëm me koncerte, shfaqje teatrale, mbrëmje poetike, ekspozita artistike dhe aktivitete sportive.

Hapja e javës do të bëhet më 14 korrik, në qendër të qytetit, me një koncert festiv. Performuesit përfshijnë emra si Selami Kolonja, Nikolë Nikprelaj, Ilir Shaqiri, Enkelejda dhe Kastriot Tusha. Koncerti nis në orën 20:30.

Më 15 korrik, Pallati i Kulturës pret shfaqjen teatrale me aktorin Bajrush Mjaku. Më 16 korrik, Parku i Poezisë do të mirëpresë një koncert artistik me Elita Reçin dhe Kastriot Tushën. Një natë poetike, kushtuar poezisë bashkëkohore, do të mbahet më 17 korrik në Europe House, me pjesëmarrjen e poetëve dhe krijuesve letrarë.

Programi vazhdon më 18 korrik me Turnirin Sportiv në Ujë në Plazhin e Djemve, organizuar nga Youth of Struga. Më 19 korrik, përpara Komunës së Strugës, hapet ekspozita artistike e Enkel Dikës. Java kulturore mbyllet më 20 korrik në Pallatin e Kulturës me koncertin e këngëtares Xhevrie Tule.