Dueli mes dy kombëtareve iberiane pritet të ofrojë spektakël, sidomos në qendër të fushës. Emra si Pedri, Rodri, Vitinha, Joao Neves, Bruno Fernandes dhe Fabián Ruiz do të jenë protagonistë të kësaj përballjeje.

Pedri, mesfushori 23-vjeçar i Barcelonës, vlerësohet rreth 150 milionë euro dhe është një figurë kyçe për Spanjën. Ai pritet të ketë rol thelbësor në organizimin e lojës dhe kontrollin e ritmit. Nga ana tjetër, Vitinha, 26-vjeçar, me një vlerë prej afërsisht 140 milionë eurosh, vjen pas suksesit me PSG-në, megjithëse paraqitjet e tij në Kupën e Botës nuk kanë qenë konstante.

Për Spanjën, dyshja Rodri-Pedri ofron ekuilibër mes kontrollit dhe kreativitetit. Rodri, fitues i Topit të Artë 2024, po rikthehet në formë pas një dëmtimi, duke shërbyer si pikë referimi për lojën spanjolle. Pedri sjell lëvizshmëri dhe ide në zonat e avancuara. Portugalia mund të mbështetet te dyshja Vitinha dhe Joao Neves, megjithëse trajneri Roberto Martínez nuk i ka përdorur gjithmonë bashkë.

Të dyja kombëtaret kanë alternativa të shumta. Spanja ka në dispozicion Fabián Ruiz, Mikel Merino, Dani Olmo dhe Martin Zubimendi. Portugalia llogarit te Bruno Fernandes, një lider në fazën sulmuese, dhe Bernardo Silva, një armë e fortë falë teknikës dhe përvojës. Cilësia e jashtëzakonshme në çdo repart premton një ndeshje të nivelit të lartë, ku beteja në mesfushë mund të jetë vendimtare për kualifikimin në çerekfinale.