Zoti Braho theksoi se raporti përmbledh rezultatet kryesore, sfidat e hasura dhe drejtimet për konsolidim të mëtejshëm. Fokusi mbetet lufta kundër krimit të organizuar, i cili ka marrë një dimension gjithnjë e më të gjerë ndërkombëtar.

Hetimet për korrupsionin dhe pastrimin e parave do të vazhdojnë me intensitet të lartë. Këto kërkojnë kapacitete të specializuara, koordinim ndërinstitucional dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Prokuroria e Posaçme ka vijuar të përfaqësojë akuzën në gjykatë, duke u fokusuar jo vetëm tek ndjekja e përgjegjësisë individuale penale, por edhe tek goditja e përfitimit ekonomik nga veprimtaria kriminale.

Drejtuesi i SPAK sqaroi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar matet jo vetëm me numrin e procedimeve apo personave të dënuar, por edhe me aftësinë për të identifikuar, sekuestruar dhe konfiskuar pasuritë e krijuara në mënyrë të paligjshme.