Zoti Braho nuk përjashtoi mundësinë e një kërkese të re për heqjen e imunitetit të deputetes Balluku. Ai e vlerësoi imunitetin parlamentar si dëmtues për hetimet. I pyetur nga deputeti Oerd Bylykbashi nëse ishin pjekur kushtet për një kërkesë të re, pas shtimit të akuzave për korrupsion dhe pastrim parash, Braho theksoi se vendimmarrja e SPAK do të bazohet në ligj dhe provat e siguruara, duke marrë parasysh arsyet e rrëzimit të kërkesës së parë nga Kuvendi.
Kreu i SPAK theksoi se rrëzimi i kërkesës së parë nuk e ka ndikuar punën e prokurorëve. Ai shtoi se faktet dëshmojnë që prokuroria ka kryer punën e saj. Zoti Braho vlerësoi se imuniteti i mbron të akuzuarit nga arrestimi, por jo nga hetimi. Ai shprehu mendimin personal se nuk duhet të ekzistonte fare imuniteti, pasi mungesa e një mase sigurie e vështirëson hetimin.
Opozita shfaqi pakënaqësi ndaj deklaratave të Brahos. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi SPAK-un për standarde të dyfishta. Sipas zotit Bardhi, pas rëndimit të pozitës penale të Ballukut, SPAK duhej t'i ishte drejtuar sërish Kuvendit për heqjen e imunitetit. Në fillim të marsit, Kuvendi rrëzoi me 82 vota kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut. Raporti i hartuar nga PS e konsideroi të pamjaftueshëm argumentin e prokurorisë për rrezikun e prishjes së provave.