Të pandehurit, Domingo Romillo Iriarte, Mihaela Munteanu Manole, Alvaro Romillo Castillo dhe Doris Pere, do të përballen me Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë. Sipas SPAK, hetimi ka zbuluar se ata dyshohet se kanë krijuar shoqëritë tregtare "Wingwort" sh.p.k., "Wortnova" sh.p.k. dhe "Wortend" sh.p.k., të regjistruara në Shqipëri në qershor 2024 me kapital minimal dhe pa aktivitet real ekonomik.

Këto shoqëri dyshohet se janë përdorur për të futur fonde me origjinë kriminale në ekonominë formale. Hetimet zbuluan transaksione bankare dhe tatimore me vlera të mëdha, fatura fiktive, pagesa pa dokumentacion justifikues dhe transferta ndërkombëtare. Shoqëria "Wortend" sh.p.k. kishte qarkullime financiare të larta, të cilat nuk përputheshin me aktivitetin e deklaruar.

SPAK konstatoi kreditime bankare që tejkalonin vlerën e faturave, pagesa ndaj shoqërive të huaja pa justifikim, si dhe blerje pasurish të paluajtshme e automjetesh me vlerë të lartë. Një pjesë e fondeve u përdorën për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në Dhërmi, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë dhe vlerë të deklaruar 1.621.200 euro, ku vlera reale e tregut ishte më e lartë.

Autoritetet gjyqësore të Spanjës kanë bashkëpunuar me SPAK, duke njoftuar se disa nga të pandehurit janë nën hetim për mashtrim. Domingo Romillo Iriarte dyshohet se ka udhëhequr dhe organizuar skemën. Mbi pasuritë e Domingo Romillo Iriarte, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manole është vendosur masa e sigurimit "sekuestro preventive".