SPAK ka kërkuar gjykimin e Domingo Romillo Iriarte, Mihaela Munteanu Manole, Alvaro Romillo Castillo dhe Doris Pere. Tre të parët akuzohen për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, ndërsa Doris Pere akuzohet për pastrim parash në bashkëpunim.

Hetimet zbuluan se të pandehurit krijuan dhe përdorën shoqëritë tregtare "Wingwort" sh.p.k., "Wortnova" sh.p.k. dhe "Wortend" sh.p.k. Këto kompani, të regjistruara në qershor 2024 me kapital minimal dhe të njëjtën adresë, nuk zhvilluan veprimtari reale ekonomike. Ato shërbyen si mekanizma për futjen e fondeve me origjinë të dyshuar kriminale në qarkullim.

U evidentuan transaksione bankare dhe tatimore me vlera të mëdha, fatura fiktive, pagesa pa dokumentacion justifikues dhe transferta ndërkombëtare. Shoqëria "Wortend" sh.p.k. kishte qarkullime financiare të larta, të cilat nuk përputheshin me aktivitetin e deklaruar. Kreditimet bankare tejkalonin vlerën e faturave të lëshuara. Një pjesë e fondeve u përdorën për blerjen e dy pronave të paluajtshme në Dhërmi, me një vlerë prej 1,621,200 euro, ku vlera reale e tregut ishte më e lartë se ajo e deklaruar në kontratë.

Domingo Romillo Iriarte dyshohet se kishte rolin drejtues dhe organizues në skemë. Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo akuzohen se kontribuan në legjitimimin e veprimtarisë, ndërsa Doris Pere dyshohet se ndihmoi me veprime administrative dhe bankare. Mbi pasuritë e Romillo Iriarte, Romillo Castillo dhe Munteanu Manole është vendosur masa e sekuestros preventive.

Autoritetet gjyqësore të Spanjës kanë ofruar informacion se disa prej të pandehurve janë subjekt hetimi për vepra penale të mashtrimit.