Procedimi penal, i regjistruar në janar 2024, përfshin veprat e trafikut të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrjen në grup kriminal dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale.

Grupi organizonte trafikimin e drogës nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si dhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Pjesa më e madhe e provave u sigurua nga analizat e komunikimeve në platformën e enkriptuar Sky ECC, të administruara nga autoritetet franceze.

Hetimet dokumentuan tre episode të trafikut ndërkombëtar: sekuestrimin e 1,722 kilogramëve marijuanë në Mal të Zi në nëntor 2020, 236 kilogramëve marijuanë në Turqi në janar 2021, dhe 475 kilogramëve kokainë në portin holandez të Vlissingen, e ardhur nga Ekuadori.

Fillimisht, janë identifikuar 14 persona të dyshuar, ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurimi. Hetimet e mëtejshme identifikuan E.B. si një prej drejtuesve të grupit, veçanërisht për episodin e trafikut drejt Turqisë. Gjykata e Posaçme caktoi masën “arrest në burg” më 3 korrik 2026, e cila u ekzekutua nga Policia e Shtetit më 6 korrik 2026.