Peter Sorensen, Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, u takua me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq. Ai theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes palëve, veçanërisht Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023.

Sorensen njoftoi në platformën X se diskutimet me Gjuriqin u fokusuan te angazhimi në dialog dhe përparimi i normalizimit ekonomik. Ai theksoi se zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të lehtësuara nga BE-ja është thelbësor, duke përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve.

Marrëveshja e Ohrit, e njohur edhe si Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, nuk u nënshkrua formalisht. Megjithatë, sipas Bashkimit Evropian, ajo është e detyrueshme për të dyja palët. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se zbatimi i marrëveshjeve mbetet i bllokuar për shkak të mosnënshkrimit nga Serbia. Ai përmendi edhe letrën e ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, drejtuar vendeve anëtare të BE-së, ku shpreheshin rezerva për zbatimin e marrëveshjes.

Marrëveshja e Ohrit parashikonte zbatimin e të gjitha detyrimeve që dilnin nga Marrëveshja Bazë e Brukselit. Ndër pikat kyçe të saj ishin çështja e personave të zhdukur gjatë luftës dhe vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë.