Kaskada e lumit Drin po përballet me rënie të ndjeshme të prurjeve. Kjo situatë, e shkaktuar nga temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve, po ndikon drejtpërdrejt në prodhimin e energjisë elektrike dhe kërkon import shtesë.

Sipas të dhënave operative nga HEC Fierzë, prurjet mesatare aktuale janë vetëm 35 metra kub ujë në sekondë. Niveli i liqenit ka zbritur në 292.16 metra mbi nivelin e detit. Ky nivel është rreth 4 metra më i ulët krahasuar me mesin e qershorit, kur kuota ishte 295.88 metra.

Aktualisht, vetëm një agregat është në punë në HEC Fierzë, ndërsa tre të tjerë mbahen në gatishmëri. Prodhimi ditor i energjisë atje arrin rreth 110 megavat/orë. KESH po menaxhon me kujdes rezervat ujore për të garantuar furnizimin gjatë sezonit veror. Importi i energjisë mbetet thelbësor për të siguruar furnizim të pandërprerë.