Presidentja Siljanovska-Davkova mori pjesë në Samitin e NATO-s në Ankara, Turqi, ku para takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut, theksoi se motoja “Evropa më e fortë – NATO më e fortë” nënkupton një Evropë të zgjuar dhe të bashkuar. Ajo shtoi se një Evropë e fortë jeton në paqe dhe demokraci, bazuar në parime dhe vlera.
Ajo drejtoi delegacionin e Maqedonisë së Veriut, i cili përfshiu ministrin e Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dhe kryeshefin e Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski.
Në mbrëmjen para samitit, Siljanovska-Davkova mori pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan. Ajo shkëmbeu mendime me shefat e shteteve dhe qeverive për sigurinë euroatlantike, forcimin e mbrojtjes kolektive dhe konsolidimin e unitetit transatlantik. Ajo shprehu bindjen se me mençuri politike, besim dhe përkushtim mund të arrihen zgjidhje për paqen, stabilitetin dhe sigurinë.
Samiti dy-ditor, i cili zhvillohet në kompleksin presidencial “Beshtepe”, ka në fokus forcimin e sigurisë kolektive të Aleancës përmes rritjes së investimeve në mbrojtje, zhvillimit të industrisë mbrojtëse, përmirësimit të kapaciteteve dhe vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën. Në margjinat e samitit, presidentja zhvilloi takime dypalëshe me krerë delegacionet e vendeve anëtare të NATO-s.
Në samit marrin pjesë liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Gjithashtu, të pranishëm janë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa.