Zgjatja e afatit për shpalljen e aktgjykimit kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, është bërë e pakuptimtë. Kështu deklaroi avokati Artan Qerkini, duke theksuar se gjykata duhet të veprojë me shpejtësi kur të pandehurit mbahen në paraburgim.
Qerkini theksoi se nga 5 nëntori deri sot, të gjithë të pandehurit janë në paraburgim. Kjo situatë e bën të domosdoshme një veprimtari më të shpejtë të gjykatës, siç parashikon e drejta vendore dhe ndërkombëtare. Ai shtoi se kjo mungesë efikasiteti ka qenë prezente gjatë gjithë procedurës.
Avokati përmendi se vetëm procedura e dorëzimit të provave nga Prokuroria tek mbrojtja zgjati më shumë se dy vjet, ndonëse Prokuroria i kishte provat përpara ngritjes së aktakuzës. Ai argumentoi se një person i paraburgosur nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë që e shpall fajtor, prandaj gjykata duhet të veprojë me efikasitet.
Sipas Qerkinin, nëse gjykata vlerëson provat me kujdes, vendimi përfundimtar do të jetë në favor të të pandehurve. Ai shtoi se vlerësimi i provave nga gjykata bëhet edhe gjatë procesit, jo vetëm në fund.
Aktgjykimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin pritet të shpallet më 16 shtator. Paraprakisht, data e caktuar për vendimin ishte 20 korriku.