Koncerti përmbyllës i sezonit artistik 2025/2026 i Filharmonisë së Kosovës, “Americana”, do të mbahet më 9 korrik 2026, në orën 20:30, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Ky ndryshim vjen pas paralajmërimeve për reshje shiu dhe stuhi, të cilat detyruan shtyrjen e eventit nga data fillestare, 8 korrik.
Filharmonia e Kosovës njoftoi se vendimi u mor duke pasur prioritet sigurinë e publikut, artistëve dhe stafit. Të gjitha rezervimet e biletave mbeten të vlefshme për datën e re. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të prezantojë një program tërësisht të frymëzuar nga muzika amerikane.
Ky koncert shënon edhe 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Programi muzikor përfshin vepra të kompozitorëve si Leonard Bernstein dhe George Gershwin, duke eksploruar traditën muzikore amerikane me ndërthurje të ritmeve të xhazit, energjisë së Broadway-t dhe traditës simfonike.