Gjykata Administrative e shtyu seancën për shqyrtimin e padisë së Erion Veliajt kundër prokurorit të Posaçëm Ols Dado. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi në gjykatë se nuk mund ta vazhdonte seancën pa ndihmën juridike të avokatit. Avokati Plarent Ndreca mungonte për arsye familjare.

Gjyqtari vendosi të shtyjë seancën për në datën 24 korrik. Nëpërmjet kësaj padie, Veliaj kërkon shfuqizimin e dekretit presidencial për emërimin e Ols Dados si prokuror, duke pretenduar se ai është emëruar në shkelje të ligjit.

Krahas këtij procesi, Erion Veliaj po gjykohet në Gjykatën e Posaçme për 13 akuza penale. Veliaj dorëzoi në gjykatë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se Gjykata e Lartë nuk kishte arsyetuar kushtetutshmërinë e masës së paraburgimit në raport me mandatin e tij si Kryetar Bashkie dhe nuk kishte trajtuar siç duhet pretendimet për cenimin e dinjitetit.

Ai theksoi se ky gjykim administrativ ka një rëndësi të veçantë, duke vënë në diskutim nëse një person, ligjshmëria e emërimit të të cilit diskutohet, mund të ushtrojë kompetenca që ndërhyjnë në kufizimin e lirisë së një qytetari dhe në ushtrimin e një mandati të fituar nga vullneti demokratik.