Në vitin 2025, 495 persona fituan shtetësinë shqiptare, duke shënuar një rënie prej 46% krahasuar me vitin 2024, kur këtë të drejtë e morën 919 individë. Nga përfituesit e rinj, 306 e rifituan shtetësinë, kurse 189 e morën për herë të parë. Mbi gjysma (56.1%) e tyre ishin me origjinë nga Kosova, të ndjekur nga shtetasit turq (20.1%), ata nga Maqedonia e Veriut dhe Italia.
Paralelisht, 173 persona hoqën dorë nga shtetësia shqiptare gjatë të njëjtit vit. Grupmosha 30-39 vjeç përbën pjesën më të madhe si të atyre që fituan, ashtu edhe të atyre që hoqën dorë nga shtetësia. Të dhënat u bënë publike nga INSTAT.
Në të kundërt, kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare shënuan rritje. Gjatë vitit 2025, u regjistruan 144 kërkesa për azil, 40 më shumë se vitin paraardhës. Pjesa më e madhe e aplikimeve (39.6%) u paraqitën nga shtetas të Egjiptit, të ndjekur nga ata të Afganistanit (11.8%) dhe Palestinës (9.7%).