Avokati Arianit Koci bëri të ditur se Avdi Memçaj, shtetas i Kosovës, është në paraburgim në Serbi që prej 20 majit. Memçaj u arrestua në pikën kufitare në Merdarë, nën dyshimin për nxitje të urrejtjes përmes rrjeteve sociale.

Familjarët e Memçajt iu drejtuan avokatit Koci, duke i kërkuar të marrë përsipër mbrojtjen e të drejtave të tij. Ata informuan se Memçaj jeton prej vitesh në Kroaci dhe zotëron disa biznese furrash buke.

Sipas Kocit, rasti nuk u bë publik më herët për shkak të frikës nga pasojat për Memçajn dhe familjen. Avokati theksoi se do të shqyrtojë rastin me seriozitet dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tij. Ai gjithashtu u bëri thirrje institucioneve të Kosovës të ofrojnë mbështetje.

Koci shprehu shqetësim për ndalime të tjera të qytetarëve të Kosovës gjatë kalimit nëpër Serbi, përfshirë kontrollin e telefonave celularë.