Këto zhvillime shihen si pjesë e një sfide historike për të garantuar rolin e shqiptarëve si faktor paqeje, stabiliteti dhe integrimi euro-atlantik në Ballkan. Historia moderne e rajonit tregon se çdo përparim i shqiptarëve është ndjekur nga kundërveprime të organizuara. Projekti i "Serbisë së Madhe" i shekullit XIX mohoi ekzistencën historike e politike të shqiptarëve.
Kjo doktrinë i paraqiste shqiptarët si popull me identitet lindor, joevropian, të prirur ndaj kriminalitetit dhe të paaftë për shtetformim. Këto narrativa shërbyen si instrumente politike për të justifikuar diskriminimin, spastrimin etnik dhe mohimin e të drejtave kombëtare. Kongresi i Manastirit i vitit 1908, me pranimin e alfabetit latin, ishte një deklaratë e qartë gjeopolitike dhe civilizuese, që përcaktoi përkatësinë evropiane të shqiptarëve.
Çdo etapë e historisë moderne shqiptare ka pasur përpjekje për të relativizuar këtë orientim, duke përfshirë tentativat për përmbysjen e vendimeve të Kongresit të Manastirit në Kongresin e Dibrës (1909), fushatat e spastrimit etnik në Kosovë në fund të shekullit XX, dhe format e luftës hibride në fillim të shekullit XXI që synojnë dobësimin politik, institucional dhe kulturor.
Krizat institucionale në Kosovë, përpjekjet për të relativizuar statusin e gjuhës shqipe dhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit në Maqedoninë e Veriut, si dhe fushatat kundër integrimit evropian të Shqipërisë, dobësojnë faktorin shqiptar dhe pengojnë konsolidimin e tij si komponent stabilizues euro-atlantik në Ballkan. Në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe rivaliteteve gjeopolitike, destabilizimi i shqiptarëve kërcënon sigurinë evropiane dhe arkitekturën euro-atlantike të rajonit.
Shqiptarët mbeten ndër popujt më proamerikanë dhe proevropianë në Ballkan, me fatin e tyre të lidhur me demokracinë perëndimore, NATO-n dhe BE-në. Sot, lufta kundër identitetit shqiptar zhvillohet në sferën akademike, arsimore dhe kulturore, duke deformuar kujtesën kolektive. Mbrojtja e gjuhës shqipe dhe funksionaliteti i institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë konsiderohen çështje të sigurisë kombëtare dhe stabilitetit rajonal.
Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje, por barazi, siguri dhe respektim të marrëveshjeve ekzistuese, si pjesë integrale e familjes euro-atlantike. Historia tregon se cenimi i gjuhës, identitetit dhe orientimit perëndimor të shqiptarëve ka sjellë kriza në Ballkan, ndërsa respektimi i të drejtave të tyre ka sjellë stabilitet dhe bashkëpunim.