Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) e ka përcaktuar Shqipërinë si një nga vendet kryesore të nisjes ose tranzitit për ngarkesat e heroinës drejt Europës. Ky përcaktim bazohet në të dhënat e sekuestrimeve të raportuara për periudhën 2021-2024, të publikuara në aneksin statistikor të Raportit Botëror të Drogave 2026.

Në të njëjtën kategori me Shqipërinë renditen edhe Turqia, Bullgaria, Greqia, Italia, Spanja, Franca, Belgjika dhe Holanda.

Raporti thekson ndryshime të rëndësishme në tregun global të opioidëve. Ndalimi i kultivimit të drogës në Afganistan në vitin 2022 ka ulur prodhimin e opiumit dhe heroinës, ndërsa rritja e prodhimit në Mianmar nuk ka kompensuar këtë rënie. UNODC paralajmëron për përshtatjen e tregjeve, duke përfshirë ndryshimin e rrugëve, metodave të trafikimit dhe kalimin drejt opioidëve sintetikë.

Përveç heroinës, Shqipëria shfaqet edhe mes vendeve europiane me rritjen më të fortë të sekuestrimeve të kokainës në vitin 2024. Sasitë e kapura janë dyfishuar ose më shumë krahasuar me vitin 2023. Kjo e vendos Shqipërinë në të njëjtën kategori me disa vende të tjera të Europës Juglindore dhe Lindore, ku sekuestrimet janë rritur ndjeshëm. Raporti vëren se në Europën Perëndimore dhe Qendrore, trafiku i kokainës ka pësuar ndryshime të rrugëve dhe mënyrave të transportit.