Shkupi vazhdon të mbajë numrin më të lartë të lindjeve në vend, me 41.6% të të gjitha foshnjave të lindura. Në kontrast, rajoni lindor i Maqedonisë së Veriut ka përqindjen më të ulët të lindjeve, vetëm 6.1%.

Sociologu Lulzim Murtezani thekson se tendenca e qytetarëve për të jetuar në Shkup, për shkak të mundësive më të mëdha për zhvillim dhe punësim, ndikon në natalitetin e ulët të qyteteve të tjera. Ai përmend gjithashtu ekonominë e dobët si një faktor kryesor për uljen e numrit të lindjeve, duke shtuar se investimi në edukimin e fëmijëve është i lartë në kohë krize.

Një tjetër arsye e theksuar nga Murtezani është ndryshimi i rolit të gruas në shoqëri, me theksin te pavarësia në karrierë dhe përfshirja në tregun e punës. Këto ndryshime mund të shtyjnë martesën dhe të ndikojnë në vendimet për numrin e fëmijëve.

Rajoni i Shkupit gjithashtu regjistron pjesën më të lartë të numrit të përgjithshëm të vdekjeve, me 30.4%. Rajoni Verilindor ka pjesën më të ulët, me 8.0%. Martesat (55.0%) dhe divorcet (65.8%) janë më të shpeshta në zonat urbane.

Sa i përket migrimeve, Rajoni i Pollogut ka pjesën më të lartë të migrimeve ndërfshatra me 50.9%, krahasuar me migracionin ndërqytetas me 2.7%.