Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shkolla Kombëtare e Fluturimit do të jetë e hapur për trajnimin dhe certifikimin e pilotëve nga vendet aleate të NATO-s në rajon. Ai shtoi se do t'i kërkohet Kosovës nëse ka interes për stërvitjen e pilotëve të saj. Kjo shkollë synon të adresojë interesin e lartë të të rinjve për t'u bërë pjesë e forcave ajrore.

Kreu i qeverisë theksoi rritjen e kapaciteteve shqiptare për përballimin e emergjencave civile, veçanërisht gjatë sezonit të zjarreve. Së shpejti priten të mbërrijnë helikopterë shtesë “Black Hawk” nga SHBA. Rama përmendi gjithashtu hapjen e një shkolle kombëtare për forcat speciale, e cila do të mirëpresë kadetë nga vendet aleate.

Në fjalën e tij, Kryeministri përmendi dhe projekte të tjera, si ndërtimi i anijeve në Pashaliman për Forcat Detare. Ai njoftoi se do të nisë një investim i përbashkët me kompaninë KAYO për prodhimin e dronëve në Shqipëri, të cilët do të eksportohen pas plotësimit të nevojave të Forcave të Armatosura.