Operacioni policor, i koduar “Remote”, parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale. Shërbimet e Komisariatit të Policisë së Vaut të Dejës, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, vepruan pas informacioneve operative.
Në orët e para të mëngjesit, në fshatin Stajkë, u ndalua për kontroll automjeti i të dyshuarit. Brenda automjetit, efektivat gjetën dhe sekuestruan një minë me telekomandë, e lidhur me një aparat celular dhe e përshtatur për shpërthim në distancë.
Si provë materiale, u sekuestruan gjithashtu automjeti, një maskë dhe dy telefona celularë. I arrestuari është Euglen Buraku, 38 vjeç, banues në Spitallë, Durrës. Në kërkim u shpall E. P., 34 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë rast.
Hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë, vazhdojnë për të zbardhur destinacionin, qëllimin e transportimit të lëndës plasëse, dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.