Alan Shearer, ish-sulmuesi i Anglisë, theksoi se futbollistët e Thomas Tuchel nuk do të ndikohen nga lartësia mbi nivelin e detit, presioni i tribunave apo historia e stadiumit. Ai shprehet se lojtarët do ta shohin këtë përballje si një sfidë. Sipas Shearer, në momentin kur nis ndeshja, gjithçka e thënë më parë humbet rëndësinë. Nëse Anglia luan futbollin e saj dhe nuk ndikohet nga rasti apo atmosfera, ai beson se do ta fitojë ndeshjen.

Shearer pranon se Anglinë e pret një test i vështirë, pasi Meksika luan para tifozëve të saj, ku 80 për qind e stadiumit do të jetë në mbështetje të vendasve. Megjithatë, ai beson se pikërisht ndeshje të tilla janë ëndrra e çdo futbollisti. Ish-kapiteni anglez komentoi edhe raportimet për zhurmat dhe fishekzjarrët që synojnë të prishin qetësinë e skuadrave mysafire. Ai nuk do të çuditej nëse Anglia do të përballej me situata të ngjashme, duke i cilësuar të bezdisshme, por të pranueshme.

Sipas Shearer, as atmosfera dhe as rekordi mbresëlënës i Meksikës në “Azteca” nuk duhet t’i trembin anglezët. Ai theksoi se Meksika ka humbur vetëm dy nga 89 ndeshjet zyrtare në këtë stadium që nga viti 1966, një rekord që meriton respekt, por shtoi se kundërshtarët nuk kanë qenë gjithmonë ekipe elitare. Ai nuk mendon aspak se janë të pathyeshëm.

Shearer beson se Thomas Tuchel ka vendime të rëndësishme për të marrë para sfidës. Mbrojtësi i djathtë do të ketë një detyrë të vështirë përballë Julian Quinones, një nga lojtarët më të rrezikshëm të Meksikës. Ai sugjeron Djed Spence për më shumë siguri në mbrojtje. Në krahun e majtë, Anthony Gordon e meriton një vend, ndërsa në të djathtën dilema mbetet mes Noni Madueke dhe Bukayo Saka. Treshen e mesfushës me Declan Rice, Elliot Anderson dhe Jude Bellingham nuk do ta ndryshonte. Anglia duhet të hyjë më mirë në lojë sesa ndaj RD Kongos, për të mos pësuar gol e para.

Në përgjithësi, Shearer vlerësoi paraqitjen surprizë të Kepit të Gjelbër, por theksoi se Franca mbetet skuadra më bindëse e turneut dhe favoritja e tij për të fituar Kupën e Botës. Ai beson gjithashtu se Kylian Mbappe mbetet kandidati kryesor për “Këpucën e Artë”, megjithëse shpreson që Harry Kane ta rivalizojë.