Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar të hënën rivendosjen e bllokadës së porteve iraniane në Ngushticën e Hormuzit, me efekt të menjëhershëm. Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në platformën Truth Social.
Trump tha se anijet tregtare do të ngarkohen me një tarifë prej 20% të vlerës së të gjitha ngarkesave të transportuara. Ai e quajti këtë masë një “Bllokadë ndaj Iranit”, duke theksuar se ajo ndalon vetëm anijet ose klientët iranianë të hyjnë apo të dalin nga Ngushtica. Sipas tij, vendet e tjera do të kenë akses të drejtë dhe të hapur në Ngushticë.
Presidenti amerikan shpjegoi se SHBA-ja do të veprojë si “Rojtari i Ngushticës së Hormuzit” dhe kompensimi prej 20% do të mbulojë kostot e sigurisë në këtë zonë. Procesi dhe organizimi i këtyre masave do të fillojnë menjëherë.
Më herët, ushtria e Iranit deklaroi se nuk do të lejonte SHBA-në të ndërhyjë në menaxhimin e rrugës kryesore të transportit detar. SHBA-ja dhe Irani shkëmbyen sulme edhe të hënën. Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) njoftoi se kishte përfunduar raundin e saj të fundit të sulmeve në Iran, në përgjigje të shënjestrimit të anijeve tregtare në Ngushticë nga Irani.