Shtetet e Bashkuara do të rifillojnë dialogun me Iranin. Këtë e bëri të ditur presidenti Donald Trump, i cili shpjegoi se kërkesa për vazhdimin e negociatave erdhi nga Republika Islamike. Megjithatë, Trump theksoi qartë se armëpushimi midis dy vendeve nuk është më në fuqi.

Në një postim në platformën Truth Social, presidenti amerikan konfirmoi gatishmërinë për bisedime, por theksoi se statusi i armëpushimit ka marrë fund. Administrata amerikane synon të shmangë një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Burime të huaja raportojnë se Uashingtoni nuk dëshiron përfshirjen e Izraelit në sulme të reja ajrore kundër Iranit, duke patur frikë nga një zgjerim i pakontrolluar i konfliktit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shprehur dëshirën që vendi i tij të marrë pjesë në operacionet ushtarake së bashku me SHBA-në, por SHBA-ja ka refuzuar.

Trump nuk synon një kthim në luftë të plotë me Iranin. Në vend të kësaj, SHBA-ja mund të shqyrtojë rivendosjen e një bllokade detare ndaj porteve iraniane si mjet presioni.