Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, deklaroi se anëtari i Kongresit Amerikan, Joe Wilson, ka propozuar një amendament zyrtar për këtë kërkesë. Amendamenti specifikon që Sekretari i Shtetit, në koordinim me Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, do të paraqesë një raport të klasifikuar komisioneve përkatëse të Kongresit.
Ky dokument do të shqyrtojë shkallën e narkotrafikut në Shqipëri dhe rolin e qeverisë shqiptare në lehtësimin e tij. Gjithashtu, raporti do të përfshijë një shqyrtim të represionit politik nga ana e qeverisë.
Bylykbashi theksoi se vendi ka arritur në një fazë kritike të kriminalizimit të shtetit, çka ka provokuar reagime ndërkombëtare. Ai përmendi edhe një raport të fundit faktmbledhës të Partisë Popullore Evropiane (EPP) mbi Shqipërinë. Sipas Bylykbashit, ky problem ka ardhur si pasojë e përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhje, financimit të masiv të votave dhe futjes së individëve të tillë në parlament, duke abuzuar me votën e drejtpërdrejtë.