Kombëtarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përfunduar aventurën në Kupën e Botës 2026, pas humbjes 1-4 kundër Belgjikës në fazën 1/16-tës. Ky eliminim u shoqërua me polemika rreth sulmuesit Folarin Balogun.

Pezullimi i Balogun për ndeshjen me Belgjikën u anulua. Më parë u raportua se presidenti amerikan Donald Trump kishte zhvilluar një bisedë telefonike me kreun e FIFA-s, Gianni Infantino. Trump argumentoi se dënimi ishte i padrejtë dhe se lojtari ishte thelbësor për fazën me eliminim direkt.

Ky vendim shkaktoi reagime të shumta. Kritikët pretenduan se një ndërhyrje politike mund të krijonte një precedent të rrezikshëm në vendimet disiplinore të futbollit. Pas eliminimit të SHBA-së, disa komentatorë ndërkombëtarë e ironizuan situatën.

Një komentator turk tha: “Nëse nuk ka ndonjë ndryshim rregullash në minutën e fundit, SHBA-ja tashmë i ka dhënë lamtumirën Kupës së Botës”. Komentatori holandez theksoi: “Sot nuk do të jetë Amerika që fiton. Vetëm një mrekulli mund t’i shpëtonte, dikush me një shkop magjik… ose ndoshta dikush nga Shtëpia e Bardhë. Ky duket opsioni më i mundshëm”.

Këto komente ironike u shpërndanë shpejt në rrjetet sociale, duke nxitur reagime dhe humor mes tifozëve në mbarë botën pas eliminimit të SHBA-së.