Presidenti amerikan, Donald Trump, ka cilësuar si “qesharake” idenë që SHBA të mbajë nivelin aktual të mbështetjes financiare dhe ushtarake për NATO-n. Ai ka kritikuar pabarazinë në ndarjen e barrës mes aleatëve.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka reaguar duke theksuar se Gjermania po rrit ndjeshëm angazhimin e saj në mbrojtje. Berlini do të dyfishojë buxhetin e mbrojtjes brenda katër viteve, si pjesë e strategjisë për forcimin e kapaciteteve evropiane brenda NATO-s.

Merz ka deklaruar se Gjermania është e vendosur të kontribuojë për mbrojtjen e NATO-s, veçanërisht për Evropën. Ai ka shtuar se shifrat tregojnë qartë rritjen e angazhimit gjerman. Kancelari njoftoi se këto plane do t'i prezantojë zyrtarisht javën e ardhshme në Ankara, ku do të diskutohet edhe bashkëpunimi brenda Aleancës.

Ky debat vjen në një kohë kur vendet anëtare të NATO-s përballen me presion për të rritur shpenzimet ushtarake dhe për të balancuar më mirë përgjegjësitë e sigurisë brenda Aleancës.