Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi se ka ndaluar personin O.S., i lindur në vitin 1953, në kufirin me Kosovën. I dyshuari ngarkohet për vrasjen mizore të çiftit Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq, civilë të nacionalitetit serb, më 14 qershor 1999 në Sofali të Prishtinës.
Autoritetet serbe theksuan se O.S. dyshohet se ka kryer vrasjen në bashkëpunim me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykata e Lartë në Beograd i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Njoftimi i MPB-së serbe nuk specifikoi nëse i dyshuari ishte pjesë e UÇK-së.
Serbia ka arrestuar shpesh shtetas të Kosovës me akuza për krime lufte të kryera gjatë konfliktit të viteve 1998-1999.