Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se ka arrestuar O.S., një person nga Kosova, në pikëkalimin kufitar Mutivodë. Ai dyshohet se më 14 qershor 1999, në lagjen Sofali të Prishtinës, në bashkëpunim me pjesëtarë të UÇK-së, vrau me armë të ftohta dhe zjarri çiftin serb Vladimir dhe Persa Stanisavljeviç.
I arrestuari, i identifikuar nga familjarët si Osman Selmani, është dërguar në Prokurorinë për Krime të Luftës në Beograd. Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Familjarët e Selmanit reaguan përmes një mesazhi në Facebook, duke i konsideruar akuzat të pabazuara dhe të pavërteta. Ata theksojnë besimin në pafajësinë e tij dhe shprehen se do të qëndrojnë pranë tij derisa e vërteta të zbardhet plotësisht.